Çfarë është dhuna me bazë gjinore?

Sipas UN Women (1993) dhe Deklaratës së Kombeve të Bashkuara për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave: “Dhuna me bazë gjinore është çdo akt dhune që bazohet në gjini dhe që rezulton, ose mund të rezultojë, në dëmtim fizik, seksual apo psikologjik ndaj grave, përfshirë kërcënimet, detyrimin apo privimin arbitrar të lirisë, në jetën publike apo private.” Ky përkufizim është i pranuar ndërkombëtarisht dhe i integruar në Konventën e Stambollit (2011), të ratifikuar nga Shqipëria në vitin 2013.

Pyetjet më të shpeshta

Termi “me bazë gjinore” nënkupton se dhuna nuk është një rastësi, por buron nga rolet, normat dhe pritshmëritë që shoqëria i vendos gjinisë.

  • Në shumë kultura, përfshirë dhe atë shqiptare, gratë shpesh janë vendosur në një pozicion të varur ekonomikisht dhe emocionalisht, gjë që i ekspozon ndaj dhunës.
  • Dhuna me bazë gjinore (GBV - Gender-Based Violence) nuk ka të bëjë vetëm me aktin e dhunës, por me strukturat e pabarazisë mes burrave dhe grave që e prodhojnë atë.
  • Ajo është një mjet për të kontrolluar, frikësuar ose nënshtruar një person, shpesh një grua apo vajzë, për shkak të gjinisë së saj.

Dhuna gjinore mund të marrë shumë forma, të dukshme dhe të padukshme.

  • Dhuna fizike përfshin çdo akt që shkakton dëmtime trupore ose dhimbje. Shembuj: rrahje, goditje, shtyrje, plagosje, përdorim objektesh për të lënduar.
  • Dhuna psikologjike/emocionale ka të bëjë me dëmtimin e dinjitetit dhe vetëvlerësimit përmes poshtërimit, kërcënimit, izolimit ose kontrollit të tepruar. Shembuj: ndalimi i kontakteve me familjen, përdorimi i fjalëve fyese, talljet, frikësimi i qëllimshëm.
  • Dhuna ekonomike ndodh kur një person kontrollon burimet financiare të tjetrit, kufizon aksesin në para ose i ndalon të punojë. Shembuj: ndalimi i punësimit, mosdhënia e parave për nevoja bazë, detyrimi për të dorëzuar pagën, kontroll i pronës apo trashëgimisë.
  • Dhuna seksuale quhet çdo akt i detyruar ose i pavullnetshëm me natyrë seksuale, përfshirë përdhunimin, ngacmimin seksual, martesat e detyruara apo incestin. Dhuna seksuale shpesh mbetet e padeklaruar për shkak të turpit dhe frikës nga gjykimi.
  • Dhuna online/dixhitale është formë moderne e dhunës që ndodh përmes teknologjisë dhe internetit. Shembuj: shpërndarja e paautorizuar e imazheve intime, ngacmimi në rrjetet sociale, ndjekja virtuale (cyberstalking), kërcënimet me mesazhe.

Dhuna gjinore nuk është aksident, por një fenomen i rrënjosur në:

  • Pabarazinë gjinore strukturore ku gratë kanë më pak pushtet ekonomik, politik dhe social;
  • Normat patriarkale dhe stereotipet kulturore;
  • Varësia ekonomike Mungesa e pavarësisë financiare e bën të vështirë largimin nga një marrëdhënie abuzive;
  • Mungesa e aksesit në drejtësi dhe shërbime;
  • Normalizimi social i dhunës Dhuna shpesh shihet si “mjet edukimi” ose “çështje private familjare”.

Një nga hapat më të rëndësishëm për të parandaluar dhunën është kuptimi i efekteve të saj të thella.

  • Pasojat për individin jane te shumta pasi dhuna ndikon drejtpërdrejt në shëndetin dhe jetën e përditshme të viktimës. Ajo ka pasoja te tilla si: pasoja fizike, pasoja psikologjike dhe emocionale, pasoja ekonomike personale.
  • Pasojat për fëmijët: Fëmijët janë dëshmitarët e padukshëm të dhunës. Edhe nëse nuk preken drejtpërdrejt, ata përjetojnë pasoja serioze emocionale dhe zhvillimore. Keto pasoja kategorizohen si: pasoja emocionale, pasoja sociale dhe shkollore, sjellje agresive ose pasive ndaj bashkëmoshatarëve.
  • Pasojat jane dhe për familjen pasi dhuna në familje shkatërron themelet emocionale, ekonomike dhe sociale të saj. Pasojat jane si: shkatërrimi i lidhjeve emocionale, pasoja ekonomike për familjen, atmosfera e frikës dhe tensionit.
  • Pasojat jane gjithashtu dhe për komunitetin sepse kur dhuna bëhet e zakonshme, ajo dëmton kohezionin social dhe përparimin e komunitetit. Kjo sjel pasoja si: humbje e produktivitetit ekonomik, stigmatizim dhe izolim ku (viktimat shpesh gjykohen në vend që të mbështeten. Komuniteti krijon “mur heshtjeje”, duke mos ndërhyrë), cënim i besimit në institucione si dhe trashëgimi ndërbrezore.

Ka disa mënyra për të kërkuar ndihmë në rast dhune:

  • Linjat e ndihmës: 116 117 (Linja Kombëtare e Ndihmës për Gratë)
  • Policia: 129 ose shkoni në komisariatin më të afërt
  • Strehimore: Ekzistojnë strehimore në Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan dhe qytete të tjera
  • Qendra të këshillimit: OJQ të specializuara në mbështetjen e grave të dhunuar
  • Spitalet: Mund të raportoni në departamentet e urgjencës
  • Avokatë: Për asistencë ligjore dhe mbrojtje juridike

Ju duhet ndihmë e menjëhershmë?

Nëse ju ose dikush që njihni është në rrezik, ju lutem kontaktoni linjën e emergjencës ose raportoni në mënyrë anonime.

Linja e Emergjencës: 116 Raporto në mënyrë Anonime

Ligjet në Kushtetutën Shqiptare

Të gjitha ligjet, konventat dhe deklaratat e publikuara në këtë faqe janë marrë nga faqet zyrtare përkatëse dhe paraqiten pa asnjë ndryshim nga përmbajtja origjinale.